Viti i Ri ka sjellë edhe ndryshimet e para në Bashkinë e Tiranës. Ish-drejtori i përgjithshëm i urbanistikës Alban Eftimi është emëruar drejtor i planit rregullues. Kjo strukturë do të ketë në qendër të veprimtarisë së saj, hartimin e planit rregullues të kryeqytetit me partnerë ndërkombëtarë. Për herë të parë kësaj njësie i është dhënë një rëndësi e veçantë.

Në postin e drejtorit të përgjithshëm të urbanistikës është emëruar zonja Brikena Zoto e diplomuar në vitin 1988 në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ndërkohë që vazhdon master për Administrim Biznes.

Ajo ka punuar në profesionin e sj jashtë Shqipërisë për disa vjet, ndërsa nga viti 2000 punon në Shqipëri. Po kështu kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka firmosur edhe emërimin e zonjës Vali Bizhga në postin e nënkryetarit të bashkisë.

Ky vend ishte vakant që pas dorëheqjes së Blendi Gonxhes pas përmbytjes në zonën e Tiranës së re nga hapja e portave të digës së liqenit artificial. Zonja Vali Bizhga është diplomuar në vitin 1983 në Tiranë për Mjekësi të Përgjithshme, më pas ka mbrojtur gradën doktor i shkencave, si edhe master për Shëndet Publik në Londër.

Ajo ka punuar me projekte të ndryshme pranë Bankës Botërore në fushën e shërbimeve sociale. Por gjatë këtij viti elektoral për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Tiranës, priten edhe ndryshime të tjera të strukturës në disa drejtori, të cilët ju përkasin sektorëve të rëndësishëm për ndryshimin e fytyrës së kryeqytetit.

Ndërsa punimet e rikonstruksionit modern të godinës kanë përfunduar dhe pritet të inaugurohen javën e ardhshme./tvklan.al