Kryeministri i parë shqiptar shkel në tokën e ndaluar kosovare pas gati një shekulli. Hapja e një përfaqësie në Prishtinë do të ndihmojë për mbajtje kontaktesh mes Shqipërisë dhe Prishtinës. Kjo ishte ideja e pritur me mjaft interes e hedhur gjatë takimeve të Majkos në Prishtinë, ide të cilën e ka mbështetur dhe Hashim Thaçi. Po në këtë takim pas mikpritjes së dy vendeve Majko ka shprehur shqetësimin rreth problemit të Mitrovicës ku ka kërkuar menaxhim të situatës dhe bashkëpunim më të fortë me autoritetet ndërkombëtare në Kosovë.
Kryeministri Majko në këto ditë mjaft të ngjeshura me takime ka biseduar dhe me liderin kosovar Rugova ku është diskutuar hallka e pazgjidhur Mitrovicë. Rugova ka premtuar riformimin dhe forcimin e partisë së tij. Më pas është dalë me një deklaratë për gazetarët ku projekti më i fundit është ndërtimi i një autostrade që lidh Durrësin me Prishtinën. Duke vazhduar axhendën zyrtare Kryeministri Majko është takuar me akademikun Rexhep Qose ku ka kërkuar hedhjen e një ideje të re për përpunimin e strategjisë së re politike shqiptare kundër çdolloj shfaqje të anarkisë.
Majko ka dënuar publikisht dhe ashpër të gjithë shqiptarët që krijojnë probleme me bashkëjetesën. Në takimin me botuesin e Kohës Ditore, Veton Surroi, Majko ka kërkuar rimbledhjen e delegacionit të Rambujesë në mënyrë që të vazhdohet bashkëpunimi. Pas përfundimit të takimeve zyrtare mjaft njerëz, familjarë dhe të rinj e kanë pritur Kryeministrin Majko me brohoritje gjatë bulevardit duke e shoqëruar në këmbë atë. Sot në mëngjes kryeministri Majko është kthyer në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego