Një 63 vjeçar i quajtur Niko Gazeli ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi kontrabandonte sasi të mëdha mallrash për konsum. Janë arrestuar edhe dy punonjës të Degës Doganore Qafë Botë për “shpërdorim detyre”. Përkatësisht Anila Adhami dhe Andon Velo. Po hetohet një tjetër punonjës…
Siç njoftojnë blutë, transporti kryhej me kamionë e trajlera. Në kërkim është administratori i biznesit që merrej me aktivitetin e paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit 4”. Transportonte me kamionë dhe trajlera sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet 63-vjeçari.
Policia identifikon administratorin e biznesit për llogari të të cilit transportoheshin mallrat dhe vijon punën për kapjen e tij. Në pranga dhe 2 punonjës të Degës Doganore Qafë Botë, mbi dyshime për shpërdorim të detyrave. Në hetim për të njëjtën vepër penale, një punonjës i tretë i kësaj dege. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale sasi të mëdha produktesh ushqimore dhe detergjentë, 2 kamionë, 1 trajler dhe 4 celularë.
Në vijim të punës për goditjen e rasteve të kontrabandës së mallrave, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast paligjshmërie në këtë fushë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Tranzit 4”, gjatë të cilit:
– U vunë në pranga shtetasi N. G., 63 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasja A. A., 54 vjeçe, me detyrë doganiere në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe shtetasi A. V., 49 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. – U shpall në kërkim shtetasi A. M., 52 vjeç, administrator biznesi, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
– U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin E. A., 43 vjeç, me detyrë agjent në Degën Doganore Qafë Botë. Gjatë operacionit, shtetasi N. G. u kap në PKK Qafë Botë, duke futur në Shqipëri, me mjete të rënda (kamionë dhe trajlera), sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara. Ndërkaq, 52-vjeçari u shpall në kërkim, pasi dyshohet se këto mallra transportoheshin për llogari të biznesit që ai administronte. Arrestimi i shtetasve A. A. dhe A. V., si dhe procedimi i 43-vjeçarit u bënë pasi dyshohet se, duke shpërdoruar detyrat, kanë lejuar kryerjen e këtij aktiviteti kriminal. Punohet për kapjen e shtetasit A. M., dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.
/tvklan.al