Moti i keq në gjirin e Vlorës nuk pengoi këtë grup investitorësh të shkelë terrenin ku do të ngrihet një ndër portet më të mëdhenj të kontenierëve në rajon.
Koncesioni për këtë port ka disa javë që i është akorduar një kompanie anglo zvicerane. Këtu puna ende nuk ka filluar, megjithatë klientët e parë që duan të zbarkojnë mallrat e tyre në këtë port kanë mbërritur.
Bëhet fjalë për një nga kompanitë kryesore të transportit ndërkombëtar të kontenierëve me qendër në Filipine, përfaqësues rajonale të së cilës jashtë kamerës pohuan se qëllimi i vizitës është shndrimi i Vlorës në qendrën e tyre në Mesdhe sapo porti të ndërtohet.
Presidenti i kompanisë, Zumax, që ka fituar tenderin për portin, thotë se puna nis vitin e ardhshëm.
Andrew Wright: “Ne presim të fillojmë punimet brenda 12 muajsh, në varësi të një sërë faktorësh. Puna do të jetë me faza ashtu si edhe kapacitetet përpunuese të terminalit. Nga 30 mijë konteniere vitin e parë, në mese 1 milion në vitet në vijim”.
Pjesë e integruar e portit të konteniereve do të jetë edhe një zonë e lirë ekonomike, e projektuar për tu ngritur në këtë zone fare pranë triportit.
Në total të dy projektet kanë një shifër investimi që shkon në afro 1 miliard e gjysmë euro, që përveç të tjerash përkthehet edhe një burim te madh punësimi për gjithë rajonin.
Dashamir Tahiri: “Dhënia e këtij koncesioni është një zhvillim i madh shumë për zonën, por jo vetëm për Vlorën po është për të gjithë Ballkanin. Këtu duhet të ketë një punësim aq të madh sa duhet të vijnë dhe të huajt të punojnë”.
Një arsye më shumë që ka nxitur vëmendjen e investitorëve dhe sipërmarrësve drejt këtij porti, janë edhe këto deklarata të disa ditëve më parë të kryeministrit Berisha në lidhje me projektin e hekurudhës me Kosovën dhe mbarë rajonin.
Sali Berisha: “Lidhja me Kosovën ka një… hekurudha me Kosovën ka një rëndësi të jashtëzakonshme në veçanti, pas ndërtimit të portit të Vlorës. Porti i Vlorës, për efiçencën e tij të plotë kërkon lidhjet më të fuqishme hekurudhore me rajonin Kosovën me Malin e Zi, me Maqedoninë. Ky studim duhet të filloj menjëherë”.
Andrew Wright: “Ky projekt për hekurudhën është thelbësor për zhvillimin e terminalit të konteniereve në Vlorë, por edhe për vetë zhvillimin e Shqipërisë. Do të jete jashtëzakonisht domethënëse sepse ndërvepron me korridorin 8”.
Gjiri i Vlorës ofron kushte mjaft të favorshme për ndërtimin e porteve, për ankorimin e anijeve me tonazhe të rënda siç janë ato të konteniereve.
Shto këtu edhe politiken për nxitjen e investimeve dhe përmirësimin e klimës së biznesit kanë bërë që investimet në Vlorë të mos mungojnë.
Fjorald Zguro: “Midis petroliferes dhe TEC-it të Vlorës, këtu në zonën e triportit në Vlorë është parashikuar ndërtimi i një porti kontenierësh më i madhi në rajon. Krahas tij është parashikuar dhënia me koncesion e një zone të lire ekonomike me një sipërfaqe prej rreth 500 hektarësh. Falë këtyre projekteve, Vlora pritet të shndërrohet në një nga motorët e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë”./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro