Largimi i emigrantëve ka shfaqur sot fluks të dukshëm pranë portit të Vlorës. Numri i emigrantëve që presin të largohen nga Shqipëria drejt Italisë ka shkaktuar problem në trafikun rrugor të qytetit të Vlorës duke bërë që për rreth 3 orë rruga lidhëse me pjesën tjetër të zonës së skelës të bëhej e pakalueshme.

Shumë automjete janë detyruar të kthehen pas më shumë se 6 orë pritje për të hyrë në traget pasi kapaciteti nga ana e mjeteve lundruese ishte i papërballueshëm.

Ata që e kanë pësuar kanë qenë kamionët e tonazhit të rëndë të cilët në ditën e fluksit do të evitojnë udhëtimet për shkak të hapësirës që zënë në tragete.

“Afërsisht 1 orë, 1 orë e gjysmë kemi këtu që po rrimë duke pritur”.

Gazetarja: Është hera e parë që ikën me makinë, me traget?

“Jo shpesh herë. Çdo verë është i njëjti problem. Nuk ka asnjë ndryshim. Sa herë që vijmë të njëjtat probleme kemi”.

“1 orë e gjysmë kam që po pres. Gjithmonë ditë e shtunë, sepse në datë 24 Gusht fillojnë që të gjithë punë”.

Shefi i qarkullimit, Adriatik Kuta, u shpreh se me një urdhër të drejtorisë së policisë së Vlorës janë marrë masa që të kontrollohen të gjitha akset rrugore në hyrje të portit, dhe në këtë formë të evitohen problemet në qarkullim në qytet.

Adriatik Kuta: “Në përgjithësisht duhet të jemi të sinqertë, njerëzit na kanë mirëkuptuar dhe ata e kuptojnë që ngarkesa, fluksi është sepse duan të ikin të gjithë menjëherë”.

Numri i lartë i automjeteve të parkuara në brendësi dhe jashtë portit padyshim që do të vijojë të sjellë radhë të gjata emigrantësh. Nga ana e tyre emigrantët shprehen se orët të gjata të pritjes që shkaktohen në port, çdo vit janë mangësi në shërbimit që u ofrojnë autoritet portuale./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani