Me pesë vota pro, Komisioni Rregullator ka miratuar këtë të mërkurë rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së tyre. Sipas rregullores së miratuar, hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit dhe regjistrimit të tyre bëhet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Kërkesat për regjistrim do të bëhen nga vetë qytetarët në platformën elektronike, e cila krijohet nga KQZ. Platforma Elektronike e Regjistrimit do të jetë pa pagesë me qëllim uljen e barrës së kostos tek zgjedhësit. Në vendim përcaktohet edhe mënyra e shqyrtimit të kërkesave të ardhura dhe përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, mënyra dhe afatet e komunikimit me Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, si dhe modalitetet e rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste.

Gjithashtu, janë parashikuar rregullat që lidhen me mbikëqyrjen dhe kontrollin e procesit të regjistrimit për të siguruar transparencë dhe qasje të të gjithave palëve në çdo hap përgatitor apo të zbatimit të procesit si e drejta e partive politike, organizatave joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara, ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin.

Vendimi i Komisioni Rregullator erdhi pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e organizatave të diasporës, dhe organizatave të shoqërisë civile. Pak ditë më parë, KQZ iu drejtua me një shkresë zyrtare Ministrisë së Brendshme, ku kërkonte që të çregjistroheshin qytetarët me banim jashtë vendit, pasi ata do të regjistrohen në një listë të veçantë për zgjedhësit që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë.

I gjithë procesi i çregjistrimit dhe i regjistrimit të qytetarëve me banim jashtë vendit duhet të përfundojë 60 ditë para datë së zgjedhësve, kohë në të cilën KQZ do të miratojë listë përfundimtare të zgjedhësve jashtë vendit.

Klan News