Autori thuri planin e ekzekutimit në një lokal në Lezhë
39-vjeçari Vladimir Kola i dyshuar si autor i vrasjes së Briken Sanajt u largua nga Shqipëria 3 ditë pas ngjarjes. Ndonëse ai ka dalë nga kufijtë e vendit ilegalisht, hetuesit janë të bindur se largimi i tij është bërë vetëm disa ditë pas ekzekutimit tek Kodra e Diellit.
Burime nga grupi hetimit bëjnë me dije se nga verifikimet e kryera, Kola ka hyrë në Shqipëri në rrugë ilegale vetëm disa ditë përpara ngjarjes. 39-vjeçari ka vepruar i vetëm dhe plani për ekzekutimin e hasmit të tij, dyshohet se u bë rreth 1 javë para ngjarjes në një lokal në zonën e Lezhës.
Në këtë ambient, 39-vjeçari u takua dhe me dy kosovarët që i siguruan mjetin tip Benz që u përdor në krim, e cila rezultoi prova kryesore në identifikimin e autorëve të ngjarjes së rëndë. Krahas automjetit dhe provave të shumta, hetuesit përftuan pamje filmike, ku shfaqej 39-vjeçari si para dhe pas krimit.
Për këtë ngjarje, ndonëse Vladimir Kola veproi i vetëm, burime bëjnë me dije se informacioni për lëvizjet e Briken Sanajt mbrëmjen e 30 tetorit iu vu në dispozicion nga 2 persona.
Motiv i vrasjes së 39-vjeçarit u bë një konflikt i nisur në vitin 2012, kohë kur vëllai i viktimës plagosi rëndë familjarin e autorit të dyshuar.
Tv Klan