Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu për të mërkurën e ardhshme seancën për të vendosur lidhur me kërkesën e Mikel Shallarit, për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Personi i arrestuar si i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit të policisë, Artan Cuku do të vazhdojë të qëndrojë në qeli deri sa të shprehet trupa gjykuese me një vendim. Shallari kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me “detyrim paraqitje”.
Mikel Shallari kishte paraqitur edhe në nëntor të vitit të kaluar një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë, por ajo ishte rrëzuar nga gjykata.
Oficeri i policisë Artan Cuku u vra më 8 prill 2017 në hyrje të pallatit ku banonte në Rrugën e Kosovarëve në kryeqytet. 24-vjeçari nga Kuçova, Mikel Shallari u arrestua rreth 1 muaj më vonë, pasi profili i tij gjenetik përputhej me atë të gjetur në rrobat e autorit të hedhura pas krimit në një kazan mbeturinash.
/abcnews.al