Një 48-vjeçar ka mbetur i vrarë në një atentat në Zallmner të Kamzës. Lulzim Visha po shkonte si çdo mëngjes në punë kur është qëlluar me disa plumba rreth orës 07:40 të së Premtes.
Ai punonte postier në një postë private dhe u vra brenda këtij automjeti të punës që shihni në pamje.
Ngjarja është lajmëruar nga një banor i zonës i cili ka telefonuar policinë pasi konstatoi trupin e vrarë brenda mjetit.
Dyshohet që 48-vjeçari të jetë nxjerrë në pritë. Nga dëshmitë paraprake që janë marrë në vendngjarje, banorët kanë thënë se nuk kanë dëgjuar të shtëna.
Kjo ka ngritur dyshimet se Visha mund të jetë vrarë me armë me silenciator. Nga këqyrja e mjetit, hetuesit gjetën brenda tij mbi 12 gëzhoja pistolete.
Klan News ka mësuar se policia është në kërkim të një mjeti Porsche ngjyre gri, që është parë pranë vendit të krimit.
Hetuesit kanë ngritur disa pista për zbardhjen e kësaj ngjarje. Sipas të dhënave, 48-vjeçari është vëllai i Besnik Vishës, i cili ishte i dënuar me 12 vite burg për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Më 10 Prill të vitit 1997, ai vrau më armë zjarri për motive të dobëta, Refik Domin, ngjarje e kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë. Besnik Visha u arrestua në 5 tetor 2009 dhe pasi ka kryer dënimin, është larguar jashtë vendit.
Policia po heton gjithashtu edhe mbi një konflikt që Lulzim Visha ka pasur muajt e fundit me disa persona të tjerë në zonën e Zall Mnerit.
Klan News