Në Zall Herr është gjetur një makinë e djegur tip “Porsche” që dyshohet se është përdorur nga autori/ët e vrasjes së Lulzim Vishës.

Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur në vrasje. Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023 në Kamëz.

48-vjeçari, Lulzim Visha mbeti i vrarë me armë zjarri ditën e sotme në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës.

Ai punonte postier dhe në momentin e ngjarjes ishte nisur për në punë me automjetin e një poste private, ku u qëllua me breshëri plumbash. Sipas informacioneve paraprake, janë gjetur 12 gëzhoja pistolete brenda mjetit me të cilin po lëvizte viktima.

Dyshimet kryesore lidhur me ngjarjen janë për një hasmëri të mundshme mes viktimës Lulzim Visha dhe personave të tjerë, pasi para disa viteve, vëllai i Lulzim Vishës ka vrarë një tjetër person.

Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, Lulzim Visha është vëllai i Besnik Vishës, i cili më datë 10 Prill të vitit 1997, ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta Refik Domin, ngjarje kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë.

Po ashtu një tjetër pistë që grupi hetimor ka ngritur dhe po e verifikon është ajo e një konflikti që dy vëllezërit kanë pasur në muajt e fundit me disa persona të tjerë në zonën e Zall Mnerit. Dyshohet që 48-vjeçari të jetë nxjerrë në pritë.

Nga dëshmitë paraprake që janë marrë në vendngjarje, banorët kanë thënë se nuk kanë dëgjuar të shtëna. Kjo ka ngritur dyshimet se mund të jetë vrarë me silenciator.


Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë për vrasjen e shtetasit L. V., ju informojmë se:

Në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar i djegur një automjet tip “Porsche” i dyshuar i përdorur nga autori/ët e ngjarjes.

Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët.

Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz.

Vijon puna intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.


/tvklan.al