Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin Ministror të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Presidencës Austriake të Këshillit të Bashkimit Evropian. Takimi, i mbajtur në Graz të Austrisë ishte një nismë e Ministrit të Mbrojtjes të Austrisë, Mario Kunasek, në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga pala austriake për prioritetet në fushën e mbrojtjes.
Ministrja Xhaçka, në fjalën e saj tha se platformat e tilla komunikimi përmirësojnë më tej dialogun e strukturuar midis Bashkimit Evropian dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në nivel të sigurisë dhe mbrojtjes.
“Trajtimi i sfidave të sigurisë mbetet një nga prioritetet tona kryesore, pasi është një interes i përbashkët për të pasur një kujdes të veçantë për rajonin tonë. Megjithëse kërcënimet e sigurisë po bëhen shumë të ndryshme në zonën euroatlantike, ne kemi bërë një
përparim të shkëlqyer në drejtim të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv duke prodhuar siguri për rajonin ”
, tha Ministrja Xhaçka në fjalën e saj.
Duke u ndalur në referendumin që pritet të mbahet në Maqedoni ditën e djelë, Ministrja e Mbrojtjes tha se:
kemi besimin e plotë se ky referendum do jetë një hap i sigurtë në drejtim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit jo vetëm për qytetarët maqedonas por për të gjithë rajonin.
Ministrja Xhaçka i njohu homologët e Austrisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës me strukturat e rëndësishme të sigurisë dhe bashkëpunimit që vendi ynë pritet të drejtojë gjatë vitit të ardhshëm, si: Karta e Adriatikut, Procesi i Ministrit të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), si dhe Verifikimi Rajonal i Kontrollit të Armëve dhe Qendra e Asistencës për Zbatimin (RACVIAC).
Të gjitha këto, tha Ministrja Xhaçka, janë tregues i pjekurisë dhe aftësisë së Shqipërisë për të drejtuar procese të rëndësishme në fushën e sigurisë.
Ministrat e Mbrojtjes nënshkruan në fund të takimit deklaratën e përbashkët, për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve për përballimin e sfidave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
/tvklan.al