Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se sipas tij, vëllai i Kryeministrit Edi Rama është pjesë e bandës së “Xibrakës”. Gjatë fjalës së tij pasi ka dalë nga ambientet e SPAK ku është paarqitur në kuadër të masës “detyrim paraqitje”, kreu i PD-së ka pretenduar se këtë dosje nuk e ka mbyllur SPAK-u, por Kryeministri Rama. Megjithatë, Berisha është i bindur se Olsi Rama do të ndëshkohet për këtë çështje pasi thotë se “Xibraka” po hetohet nga agjencitë serioze ndërkombëtare.
Sali Berisha: Nuk e mbylli Prokuroria, por e mbyllI Edi Rama, e cili e njoftoi më para mbylljen e dosjes së vëllait të vet që është trafikant. Unë kam paraqitur dokumenta para jush që nxjerrin Olsi Ramën mashtrues dhe gënjeshtar publik. Olsi Rama ka qenë në krye të këtij klani. Të besosh se Olsi Rama nuk është anëtar grupi, është një gjë qesharake. Unë kam denoncuar ditën e tretë pse të katërt të arrestimeve sepse kam marrë vesh që Olsi Rama, Dabullat, një tjetër nip i Enver Hoxhës, përveç Ermalit, edhe një tjetër ishin anëtarë të bandës. Kështu ka vetëm një perpjekje të dëshpëruar. Agjencitë më serioze ndërkombëtare, të cilët kanë dosjen “Xibraka” dhe kam bindjen se plotë se nuk mund të mbyllet. Ta mbyllë Dumani me Alfred Shehun sa të duan, por ajo është e hapur dhe Olsi Rama do të bjerë brenda me këtë dosje.
Më tej, Berisha ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme për fshehjen e dosjeve dhe mbulimin e krimeve.
Sali Berisha: Denoncimi i krimit për Sali Berishën nuk njeh asnjë kufi. Prokuroria e Posaçme ka vite që i ka aty dhe i fsheh dhe mbulon krimin në mënyrën më kriminale. Jam këtu për t’i garantuar se do ndëshkohen një për një në përputhje me ligjin për fshehjen e këtyre dosjeve.
Kujtojmë se më 10 Janar të këtij viti, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi pezullim të hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të njohur si dosja e “Xibrakës” pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. SPAK njoftoi zyrtarisht se nuk janë gjetur prova për përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen “Xibraka” dhe as nuk janë identifikuar persona të tjerë./tvklan.al