Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në Pogradec këtë të shtunë. Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se do ta shkatërrojë këtë qytet.
Por kryedemokrati iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve të pranishëm atje. Berisha komentoi reagimin e SPAK në lidhje me dosjen Xibraka që konkludoi se Olsi Rama nuk ka lidhje me aktivitetin kriminal të goditur në vitin 2015. Për ish-kryeministrin kjo tregon se SPAK është pjesë e dosjes së Xibrakës.
“Më deklaratën e tij dje SPAK-u tregoi se është pjesë e dosjes së Xibrakës, kaq mund të them. Tregoi që tani nuk kemi vetëm Olsin, por kemi edhe Dumanin anëtar të bandës së Xibrakës. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.
Ai foli edhe për zgjedhjet ku tha se do shkojnë në koalicion me Partinë e Lirisë dhe partitë e tjera. Sipas Berishës është radha e opozitës për fitore.
“Në koalicion me Partinë e Lirisë dhe me parti të tjera, ne shkojmë të sigurt drejtë fitores është radha jonë”, tha Berisha.
Por i pyetur nëse do të shkojnë në lista të ndara apo të përbashkëta, Berisha u përgjigj se kjo “do të përcaktohet nga negociatat”./tvklan.al