Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur pezullim të hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të njohur si dosja e “Xibrakës” pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Disa muaj më parë deputeti i PD Gazmend Bardhi deklaroi publikisht se ka informacione për përfshirjen e vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama në këtë çështje. Bardhi informacionet i vendosi në dispozicion të SPAK, që rifilloi hetimet. Por të premten, Prokuroria e Posaçme njofton zyrtarisht se nuk janë gjetur prova për përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen “Xibraka” dhe as nuk janë identifikuar persona të tjerë.
“Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Olsi Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.”
Dosja në fjalë i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve. Bëhetë fjalë për një procedim të ndarë që në vititn 2016 nga ana e prokurorisë për Krime të rënda në lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit. Ky procedim lidhet me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”.
Klan News