Policia e Tiranës ka zbuluar një firmë në Yzberisht që merrej me falsifikimin e dokumenteve. Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë në pranga tre persona.
“Si rezultat i hetimeve të thelluara, për goditjen e një rasti të falsifikimit të dokumenteve, në një subjekt privat (firmë), në Yzberisht, ku kryheshin dhe krime të tjera ekonomiko-financiare, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar “Vula”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: Ç. B., 53 vjeç, banues në Tiranë, bashkëpronar i firmës, i dënuar më parë ndër të tjera dhe për kontrabandë; A. R., 55 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i firmës; F. Sh., 54 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia.
Rezulton se bashkëpronari i firmës dhe punonjësi siguronin për shtetas të ndryshëm dokumente të ndryshme, që nga lejet e qarkullimit, librezat, deklaratat noteriale, dokumentet shkollore e dëshmi të aftësive profesionale. Në lidhje me rastin janë sekuestruar 37 vula të falsifikuara të institucioneve të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ndërsa 54-vjeçari i vënë në pranga u kap në flagrancë duke marrë një certifikatë pronësie, të dyshuar si të falsifikuar.
Në ambientet e kësaj firme u gjetën edhe 210 shishe me verë të dyshuar si të kontrabanduar, ndërkohë që janë konstatuar edhe punëtorë të tjerë të pa siguruara./tvklan.al