Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidenti francez Emmanuel Macron do të takohen të enjten në Paris “për të riafirmuar vendosmërinë e Francës për të vazhduar ofrimin, në periudhën afatgjatë dhe së bashku me të gjithë partnerët e saj, të mbështetjes së palëkundur për Ukrainën dhe popullin ukrainas”, thuhet në një deklaratë të zyrës së presidentit francez.
Kjo do të jetë vizita e pestë e presidentit ukrainas në Francë që kur filloi sulmi i forcave ruse në Ukrainë, dhe vjen një ditë pasi Presidenti francez Macron vizitoi një njësi ushtarakësh ukrainas që stërviten në Francë.
Franca po përgatit 2,300 ushtarë të brigadës së quajtur “Ana e Kievit”, sipas emrit të princeshës së lindur në Kiev, e cila në vitin 1051 u martua me mbretin francez Henry I.
Një zyrtar i presidencës franceze tha se përgatitja e ushtarëve ukrainas do të përfundojë brenda disa muajsh dhe se është “krejtësisht identike me situatën që do të gjejnë në terren”.
Zyrtari tha se njësitë “do të përballen me situata reale – stres, zhurmë, dronë”, gjatë stërvitjes së tyre. Franca është zotuar gjithashtu të japë armatime për këtë brigadë. Ndër ndihmat e premtuara janë 128 automjete të blinduara, 18 sisteme artilerie ‘Ceasar’ dhe 20 njësi raketash antitank.
Rusia njofton se ka shkatërruar 47 dronë
Rusia njoftoi të mërkurën se shkatërroi 47 dronë ukrainas në zona të ndryshme përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse kanë rrëzuar 24 dronë mbi rajonin Bryansk, ndërsa u rrëzuan dronë të tjerë mbi Belgorod, Kursk, Rostov, Krasnodar dhe Detin Azov.
Forcat ukrainase kanë sulmuar vazhdimisht rajonet kufitare ndërsa përpiqen të zmbrapsin ofensivën frontale ruse që filloi në vitin 2022.
Ushtria e Ukrainës njoftoi të mërkurën se pati rrëzuar 21 nga 22 dronët rusë të nisur gjatë sulmeve të natës. Rrëzimet u bënë mbi rajonet e Kievit, Odesas dhe Vinnystias, njoftuan forcat ajrore ukrainase.
Presidenti Zelensky kërkon më shumë ndihma për mbrojtjen kundërajrore
Rusia përdori gjithashtu tre raketa balistike në valën e saj të fundit të sulmeve ditore, të cilat e kanë shtyrë Presidentin Zelensky të bëjë thirrje për më shumë ndihma për mbrojtjen ajrore, si dhe për autorizimin për të përdorur armët e dhuruara nga Perëndimi për të goditur objektet ushtarake brenda Rusisë.
Një takim i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i vendeve që koordinojnë ndihmën për Ukrainën pritej të mbahej të shtunën në Gjermani, me presidentin amerikan Joe Biden që do të kryesonte bisedimet e nivelit të lartë.
Por, ndërsa një uragan i fuqishëm mbërrinte në brigjet e Shteteve të Bashkuara, Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se Presidenti Biden nuk do të marrë pjesë në këto bisedime. Disa të dhëna për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Reuters, Agence France-Presse dhe The Associated Press./VOA