Mbrëmja e të dielës tanimë ka vetëm një emër, “Zemër Luana”, me autore dhe moderatore Luana Vjollca, e cila di gjithmonë të sjellë në shtëpitë e të gjithëve një mbrëmje plot humor, argëtim, emocione të forta, performanca që na bëjnë të ngrihemi në këmbë dhe të kërcejmë bashkë me të ftuarit.
Të ftuar mbrëmjen e sotme janë Monika Kryemadhi, të cilën do e shohim ndryshe si asnjëherë më parë. Ermal Fejzullahu, i cili do të vijë plot të pathëna. Erion Isai, për herë të parë në përballje me dy ish-kolegët e tij Bes Kallakun dhe Olsi Bylykun. Era Rusi & Gold AG, të cilët elektrizojnë skenën me performancat e tyre, si edhe një nga moderatorët më të dashur në Kosovë, Labinot Gashi, i cili vjen me premtime e shumë spektakël sot.
Siç tanimë e dini, në “Zemër Luana” nuk do të mungojnë këngëtarët e mbrëmjes për sonte, të cilët do i zbuloni menjëherë në hapje të programit. Ne dimë t’ju themi se do iu dërgojnë shumë mbrapa në kohë dhe do të mbusheni plot nostalgji!
Ndonëse kundërshtarë në politikë, Monika Kryemadhi dhe Erion Isai sonte jo vetëm përballen, por vendosin të luajnë dhe kërcejnë nën ritmet e muzikës së mirë në “Zemër Luana”, si dhe do të shohim një sfidë si asnjëherë më parë mes Bes Kallakut dhe Monika Kryemadhit, duke u “futur” në telefonat e tyre!
Këto e shumë e shumë të tjera do të ndodhin vetëm sonte në orën 21:00, në ekranin e Televizionit Klan në “Zemër Luana”, nën drejtimin e autores Luana Vjollca.