Pas një fushate të nxehtë partitë politike në Maqedoni, duket se po respektojnë heshtjen zgjedhore, e cila ka nisur që prej mesnatës të së premtes. Dje subjektet politike kanë zhvilluar mitingjet përmbyllëse të fushatës e cila zgjati 20 ditë.

Gjatë këtyre ditëve u prezantuan platformat politike dhe kandidatët për deputetë. Pas incidenteve në radhët e partive shqiptare, tubimet e djeshme kanë kaluar qetësisht. Nesër do të votohet që prej orës 7 të mëngjesit deri në orën 19:00 në mbi 2900 qendra votimi, ndërkohë që të drejtën e votës e kanë mbi 1 milion e 700 mijë vetë.

Ndërkaq BE dhe SHBA nëpërmjet deklaratave nga ambasadat përkatëse kanë apeluar për zgjedhjet të lira. Autoritetet dhe institucionet e rendit duhet të ndjekin rastet e thyerje së ligjit që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Posaçërisht thyerjet e kodit zgjedhor thuhet në deklaratat e BE-së dhe SHBA-së, ku u bëhet thirrje krerëve të partive të shmangin presionet politike gjatë votimit./tvklan.al