Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një ditë para zgjedhjes së rektorit të ri të Universitetit të Tiranës, dy prej kandidatëve, kanë preferuar të paraqesin publikisht programet e tyre. Profesori i gjuhësisë Shezai Rrokaj është i bindur se në universitetin më të madh shqiptar duhen bërë ndryshime rrënjësore, sidomos në drejtimin e konceptit të tij, sipas parimeve të ekonomisë së tregut dhe trajtimit të studentëve, sipas standardeve europiane.

Shezai Rrokaj:- “Këto standarde, lidhen me strukturimin e procesit mësimor, me administrimin financiar, me ngarkesën mësimore, me punën shkencore, me tarifën e shkollimit, me projektet, me jetën studentore etj”.

Edhe kandidati tjetër, profesori i psikologjisë Adem Tamo, sheh si të domosdoshëm, se universiteti shqiptar, duhet të veprojë si i pavarur, jo vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe ajo politike.

Adem Tamo:- “E para do të mbrohemi nga politika, që do të fusë hundët dhe do të sigurojë mbështetjen e saj për t’u zhvilluar më tej si institucion, e dyta do të punojmë për financa më të zhvilluara dhe për liri më të madhe në përdorimin e këtyre financave. Pa para universiteti dhe puna mendore nuk ecin përpara. Së treti, do të punojmë për përmirësimin dhe modernizimin e strukturave të brendshme të këtij universiteti”.

Kandidat tjetër për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës është profesori i matematikës Petraq Petro, i cili ndan të njëjtat mendime me konkurrentët e tij, për të ardhmen e Universitetit të Tiranës. Kandidati i katërt është rektori aktual Mareglen Spiro, fizikant, i cili drejton Rektoratin e universitetit prej pesë vjetësh./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço