Presidenti Bajram Begaj nisi këtë mërkurë konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Konsultimet e para, kreu i shtetit i filloi me partitë e vogla opozitare, të cilët bënë propozimet e tyre për datën kur qytetarët e Shqipërisë do u drejtohen kutive të votimit. Pas një takimi prej rreth 40 minutash, katër subjektet politike, PAA, PR, LZHK dhe PBDNJ, zbuluan dhe propozimin e tyre për Presidentin.
Pas takimeve, Kreu i Shtetit iu drejtua të gjithë subjekteve politike me një mesazh, ku thekson që administrata apo akte të tjera elektorale të paligjshme të mos keqpërdoren.
“Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë. Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar. Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit. Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, dhe jo në keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme.”
Në kuadër të caktimi të datës së zgjedhjeve, Presidenti i Republikës do të takojë këtë të enjte përfaqësuesin e PL, ndërsa me dy forcat më të mëdha politike, PD dhe PS do të zhvillojë konsultime ditën e hënë.
Klan News