Krerët e disa prej partive të vogla parlamentare i propozuan Presidentit të Republikës Bajram Begaj që zgjedhjet e ardhshme të mbahen në 4 Maj 2025. Kreu i shtetit priti fillimisht Fatmir Mediun, Dashamir Shehin, Agron Dukën dhe Vangjel Dulen të cilët kërkuan që shqiptarët të shkojnë tek kutitë e votimit në 4 maj duke pasur parasysh se në 9 maj sipas tyre mund të mbahet në Tiranë, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe që nuk do të ishte normale të zhvillohej gjatë fushatës.
Më pas edhe Agron Shehaj që drejton partinë “Mundësia” ishte në të njëjtën linjë. Ndërsa Shpëtim Idrizi i PDIU-së tha se ishte në favor të dy të dielave të para të Majit, por më e rëndësishme për të është përcaktimi i modaliteteve për votën e diasporës.
Presidenti pritet të takojë të enjten përfaqësuesit e Partisë së Lirisë dhe më 25 Nëntor do të zhvillohen konsulta me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. Pas konsultave është presidenti i vendit ai që dekreton datën e zgjedhjeve në afatin e përcaktuar në kushtetutë 15 Prill-15 Maj.
Vetë Begaj, në një koment në rrjetet sociale, thotë se dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë.
Tv Klan