Drejtoria e përgjithshme e rrugëve ka nisur punën për zgjerimin me katër korsi të superstradës Fushë-Krujë-Milot, pjesë e korridorit Durrës-Kukës.
E njohur ndryshe si “superstrada e vdekjes” për shkak të numrit të lartë të aksidenteve rruga do të jetë e pajisur me trafikndarëse dhe elemente të tjera të sigurisë.
Mjetet e firmave kontraktore që kanë marrë përsipër zgjerimin e saj ka nisur gërmimin e dheut dhe zgjerimin e rrugës nga të dyja krahët nga Thumana deri në Milot.
Rikonstruksioni i këtij aksi u paralajmërua pak kohë më parë nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë emisionit Opinion të gazetarit Blendi Fevziu.
Sokol Olldashi: “Janë lidhur kontratat për dublimin e rrugës nga Miloti deri në Thumanë, si fillim dhe do të vazhdojmë gjatë muajve të parë të vitit nga Thumana drejt Tiranës. Në bashkëpunim me projektuesit dhe me mirëkuptimin e bankës ne kemi bërë optimizimin e projektit, gjë që do të thotë që me të përfunduar realizimin e kësaj ne do të fillojmë ndërtimin e dy korsive të tjera, pra për ta bërë të gjithë segmentin me katër korsi”.
E vënë në funksion në vitin 2002 përveç zgjerimit superstrada do të pajiset me mbikalime të domosdoshme për kalimin e këmbësorëve.
Rikonstruksioni i saj parashikon ndërtimin e rrugëve dytësore dhe vendqëndrimeve për ndalimin e automjeteve.
Zgjerimi i saj pritet të minimizojë ndjeshëm numrin e aksidenteve që kanë shkaktuar në pak vjet një numër rekord viktimash.
Rruga e gjatë 20 kilometra është e ndarë në tetë lote dhe punimet pritet të përfundojnë në Mars të 2010-tës./tvklan.al