Agim Fagu është zgjedhur president i KOKSH në asamblenë e mbajtur mesditën e së martës. Ish-basketbollisti dhe diplomati i njohur është votuar thuajse në mënyrë unanime nga anëtarët me të drejtë vote, ndërsa në garë ishte i vetëm.
Agim Fagu: “Mendoj se kjo është një detyrë e nderuara, është një detyrë e bukur për mua që e nisa jetën time me sportin dhe pastaj sigurisht ashtu siç të çon jeta në shumë fusha të ndryshme rikthehem fizikisht edhe njëherë për të kontribuar së bashku me kuadrot më të mira të sportit shqiptar për ta kthyer dhe për ta çuar sportin shqiptar aty ku ai meriton.”
Në këtë asamble pati kundërshtime nga Federata e Peshëngritjes për përjashtimin e kandidaturës së Esat Ademit. Komiteti Olimpik e justifikoi këtë veprim si përgjigje e veprimeve të dhunshme të tij në zgjedhjet e 6 dhjetorit të kaluar. Më pas vetë Ademi deklaroi publikisht votën pro për Agim Fagun. Ndërsa sekretari i KOKSH-it u rikonfirmua Stavri Bello.
Më herët ministri i sporteve Ardian Turku sqaroi pozicionin e tij rreth kësaj Asambleje.
Ardian Turku: “Me përgjegjësi qytetare dhe me përgjegjësinë shtetërore nuk ka pasur asnjë punonjës të ministrisë apo të drejtorisë së sportit që të ketë shkuar nëpër federatat e ndryshme sportive, anëtare apo pjesëtare të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe që kanë përfaqësues në Asamble. Që ti kërkohet apo ti ushtrohet presion për të mos vajtur në këtë mbledhje. Nëse unë do doja që federatat të mos shkonin në këto mbledhje mjafton të firmosja pikërisht materialet që më ka dërguar Asambleja e jashtëzakonshme qoftë edhe sot në mëngjes dhe ju do ta shikonit se mbledhja e sotme nuk do të zhvillohej. Pra ishte një gjë që unë kisha mekanizma ligjor në dorë dhe s’kisha pse të përdorja metoda të tilla bizantine, që s’janë në natyrën time dhe në natyrën e qeverisë shqiptare. Nuk kam pasur asnjë lloj telefonate dhe asnjë lloj kontakti me zotin Bello. E ftoj zotin Bello që unë ta ndihmoj dhe ai të kërkojë me burrëri zbardhjen e kësaj bisede telefonike dhe bërjen publike për të tëra mediat dhe atëherë do të më duhet, e garantoj që do të më duhet të më kërkojë falje publike, ai dhe të tjerët që bëjnë interpretime për këto gjëra.”/tvklan.al