Është ndër emrat më të lakuar të trajningut, por Zinedine Zidane mbetet ende i papunë. Francezi nuk është bindur për të marrë drejtimin e një klubi ose kombëtareje, duke preferuar që të qëndrojë në pritje të një projekti serioz.

Prej 27 Majit 2021, Zidane nuk është ulur më në stol për të shënuar një rast të pazakontë në futbollin botëror. Historia e një trajneri të suksesshëm si ai është që prej 3 vitesh nuk ka drejtuar asnjë skuadër, sikur të kishte hequr dorë në heshtje nga një profesion në të cilin arriti perfeksionin me Real Madridin.

Nga viti 2016 në 2018 dhe nga 2019 në 2021, Zidane fitoi njëmbëdhjetë tituj, 2 kampionate, 2 Superkupa spanjolle, 3 Champions League, 2 Superkupa Europiane dhe 2 Botërore klubesh. Një rezyme spektakolare që deri pak kohë më parë e bëri atë trajnerin e dytë më të suksesshëm të Real Madridit. Por Zizu është zhdukur dhe kjo nuk ka qenë për shkak të mungesës së ofertave.

Manchester United, Juventus, PSG dhe Bayern kanë trokitur në derën e tij disa herë në vitet e fundit, si dhe disa nga skuadrat më të mira në planet. Zidane përgjigjet gjithmonë njësoj: “Jo, faleminderit”. Më shumë se 1300 ditë papunë për 52-vjeçari, i cili tashmë duhet të zhvendos vëmendjen dhe të fokusohet sërish në fushën e lojës.

Klan News