Vatra zjarri me një intensitet të lartë flakësh janë aktivizuar në zonën e Maliqit, më konkretisht në pyllin e Bodës. Siç mëson gazetarja Daniela Zisi, sipërfaqja e djegur është e konsiderueshme.
Flakët vijojnë të përhapen dhe favorizohen nga era e temperaturat shumë të larta. Shërbimi zjarrfikës i Maliqit ka qenë i angazhuar që në çastet e para të sinjalizimit të zjarrit, por terreni i thyer malor u ka krijuar vështirësi në ndërhyrje.
Zjarrfikësit po përpiqen ta mbajnë nën kontroll zjarrin me mjete rrethanore, pasi terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen me mjete të posaçme.
Sipas informacioneve është kërkuar ndihmë shtesë për të izoluar vatrat aktive të cilat kanë intensitet të lartë.
“Janë të angazhuara aktualisht 35 forca nga Nj.Adm Lozhan dhe vullnetarë, 16 forca nga shërbimi pyjor dhe 13 nga MZSH-ja Maliq, forca nga shërbimi i MZSH-së Korçë 3, shërbimi pyjor Korçë 4, MZSH Devoll 5, MZSH Pustec 4, MZSH Pogradec 4, si dhe ato të Administratës së Zonave të Mbrojtura, forcave të policisë, etj. Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole ka kërkuar mbështetje edhe nga 25 forca të ushtrisë, të cilat janë duke mbërritur në zonën e vatrës”, mësoi gazetarja Daniela Zisi.
Siç duket edhe në pamjet më lart, flakët janë të një intensiteti shumë të lartë. Pemë të shumta janë përfshirë totalisht nga zjarri duke djegur një sipërfaqe të madhe të pyllit.
“Është një situatë tejet e vështirë ndaj kemi angazhuar të gjitha forcat e zjarrfikëses të qarkut Korçës që dua t’i falenderoj. Situata u stabilizua në momentin, por tani ka dalë pothuajse jashtë kontrollit. Po presim orët e vona të natës, apo një qetësim të erës për të ndërhyrë pasi vërtetë situata është për t’u shqetësuar”, tha kreu i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu./tvklan.al