Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 11 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 137 punonjës zjarrfikës, 23 automjete zjarrfikëse, 150 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra banorë të zonave të prekura, efektivë të Policisë dhe FNSH, mbi 100 punonjës të Pyjores, të bashkive etj, të mbështetur nga helikopterë dhe avionë.
Reshjet e rëna gjatë natës kanë ndihmuar për të shuar plotësisht zjarret në disa zona.
Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
QARKU TIRANË
Operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj të bashkisë Tiranë ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme, por në mesnatë ka pasur reshje shiu i cili ka shuar plotësisht vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe relativisht e madhe me shkurre dhe pisha.
Në fshatin Kuç të bashkisë Vorë ka vazhduar puna nga zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të mbështetura edhe nga një helikopter. Në mesnatë në qarkun e Tiranës ka patur reshje shiu i cili ka ndihmuar në shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Ndërmjet fshatit Okshtun dhe Hameraj të bashkisë Rrogozhinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pyll me pisha. Zjarrfikësit dhe forcat ushtarake kanë punuar për të shuar zjarrin. Gjatë mesnatës ka pasur reshje shiu që kanë ndihmuar për të shuar plotësisht vatrat e ndezura. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
QARKU DIBËR
Ka vazhduar puna e zjarrfikësve së bashku me forca ushtarake, forca të pyjores dhe forca të FNSH, në vatrën e fuqishme të zjarrit të rënë në fshatin Bllacë, bashkia Bulqizë. Vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive, por me intensitet të dobët. Forcat po vazhdojnë punën edhe ditën e sotme deri në izolimin e plotë të vatrave.
QARKU VLORË
Vazhdojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Finiq. Situata ka qenë më e agravuar në fshatin Dhrovjan dhe Leshnicë. Forcat e zjarrfikëses, të mbështetura nga banorë të zonës dhe punonjës të bashkisë kanë punuar për të mbajtur zjarrin nën kontroll në mënyrë që të mos i afrohej zonës së banuar. Në operacion është përfshirë edhe helikopteri i cili ka realizuar disa fluturime.
QARKU GJIROKASTËR
Vazhdojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Frashtan dhe Lugar, bashkia Dropull, të cilat paraqesin rrezik për banesat. Në operacione për të shuar zjarret janë përfshirë punonjës të zjarrfikëses, punonjës të bashkisë, forca të Policisë së Shtetit, forca ushtarake dhe banorë të zonës. Për shkak të erës së fortë flakët janë përhapur dhe kanë vënë në rrezik serioz banesat e disa fshatrave dhe të fshatrave. Në ndihmë kanë shkuar 2 avionë të vegjël nga Greqia dhe një helikopter, të cilët kanë ulur intensitetin e zjarreve, por pa e fikur plotësisht. Operacionet janë ende në zhvillim.
QARKU DURRËS
Në fshatin Cudhi të bashkisë Krujë ka vazhduar puna e forcave të zjarrfikëses, së bashku me forca të pyjores, të bashkisë, dhe banorë të zonës, të cilët kanë arritur ta shuajnë zjarrin, duke shmangur rrezikimin e Parkut Kombëtar të Qafë Shtamës. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.
QARKU SHKODËR
Në malin Cukal, Shllak, bashkia Vau-Dejës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje kanë punuar forca zjarrfikëse dhe forca ushtarake duke izoluar vatrat e ndezura. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.
Në fshatin Vukpalaj, Kastrat, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarfikësit, të mbështetuar nga forca ushtarake dhe helikopteri kanë mundur të shuajnë flakët. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 200 ha me shkurre.
QARKU FIER
Në fshatin Kreshpan, Njësia Administrative Cakran, bashkia Fier ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, pyll me lis dhe ullinj. Zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje, por nuk kanë mundur të izolojnë plotësisht vatrat. Gjatë mesnatës ka pasur reshje shiu që ka ndihmuar në shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 me shkurre, pyll më lis dhe ullinj.
QARKU BERAT
Në fshatin Çetë, bashkia Ura Vajgurore ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shuar flakët. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 50 rrënjë ullinj.