Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se vetëm gjatë ditës së sotme në bashkinë e Lezhës janë shënuar 5 vatra zjarri. 4 prej tyre janë vënë nën kontroll, ndërsa vijon lufta me flakët në Shëngjin, aty ku flakët rrezikojnë disa banesa.   

“Pesë vatra zjarri sot në zona të ndryshme në Bashkinë Lezhë. Policia e Shtetit ka arrestuar deri më tani një person të dyshuar si fajtor për zjarrvënie. Janë vënë nën kontroll katër vatra zjarri dhe forcat zjarrfikëse po luftojnë me flakët në Shëngjin”, thotë Balla.

Zjarri në Shëngjin është i përmasave të mëdha dhe puna e zjarrfikësve është vështirësuar për shkak të terrenit të vështirë. Punonjësit zjarrfikës janë vendosur në afërsi të banesave në mënyrë të mos rrezikohet jeta e banorëve.

Për këtë vatër apeloi më herët për ndërhyrje urgjente edhe deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, i cili tha se zjarri po merrte përmasa drastike.

Ndërkohë, më herët Policia e Lezhës vuri në pranga një 33-vjeçar, i cili ishte shkaktari i krijimit të një vatre zjarri në fshatin Spiten.

Ministria e Mbrojtjes thotë se në të gjithë vendin ka pasur 23 vatra aktive zjarri, 19 prej të cilave janë izoluar./tvklan.al