Ka nisur para dy vitesh, por nuk ka përfunduar ende. Unaza e Shkodrës një prej investimeve më të mëdha në infrastrukturën rrugore të qytetit ka kaluar të gjitha afatet e parashikuara të përfundimit të saj.
Punimet janë bllokuar prej muajsh në segmentin që lidh lagjen “Ndocaj” me shkollën “Salo Halili”. 400 metra rrugë të këtij aksi ka mbetur peng e shpronësimit të tokës ku do të kalojë unaza. Pronarët e truallit nuk pranojnë të kompensohen me vlerën e shpronësimit. Ndërkohë që autoritetet lokale premtojnë rifillimin e punimeve në një kohë të shkurtër.
Qytetar: “Ne kena shku deri të kryeministri dhe kryeministri me porosi të tij ka angazhuar ministrin dhe ministri na ka thirr ne, 4 përfaqësues të kësaj lagje. Deri tash nuk na është dhënë asnjë lloj përgjigje për këtë punë.”
Lorenc Luka: “Kemi pasur disa probleme me disa familje të cilat janë ankuar pranë gjykatës të rrethit Shkodër. Gjykata është shprehur dhe ato familje të cilat preken, më mirë me thënë janë disa banesa, do t’i nënshtrohen procedurës. Ne e kemi koordinuar me ministrinë e Transportit, me struktura të tjera pranë kësaj ministrie, për të filluar ndërhyrje në segmentin e bllokuar.”
Por përveç zvarritjes së punimeve shqetësim për qytetarët është bërë pluhuri e balta si pasojë e punimeve të hapura. Drejtuesit e zyrës rajonale të mjedisit kanë paralajmëruar gjobitjen e firmës zbatuese të projektit.
“Zyra rajonale e mjedisit Shkodër, niset si problem në bazë të ligjit për mjedisin, duke plotësuar kushtet mjedisore, siç janë se si punohet, lagien e rrugëve.”
Punimet për ndërtimin e unazës së Shkodrës kanë filluar në shtator të vitit 2006. Kostoja e këtij projekti ka kapur vlerën e 250 milion lekëve dhe fondet për zbatimin e tij janë akorduar nga buxheti i shtetit./tvklan.al