Nderim Nexhipi është drejtori i ri sportiv i Shkupit, në Maqedoninë e Veriut. Njoftimi zyrtar, ka ardhur nga vetë klubi shqiptar, nëpërmjet rrjeteve sociale.

Nexhipi nis një aventurë të re tashmë, te skuadra e vendlindjes. Pas një karrierë të suksesshme si lojtar, 40-vjeçari, prej disa vitesh ushtron profesionin e drejtorit sportiv, ku ka qenë në klube si Kukësi, Ballkani dhe Manisa në Turqi.

Si lojtar, Nexhipi ka qenë pjesë e skuadrave të njohura si Hertha Berlin dhe Wolfsburg në Gjermani, ndërsa ka luajtur edhe me Shkëndijën e Tetovës, Vardarin, Partizanin, Flamurtarin dhe Dritën në Kosovë.

Te Shkupi, ai ka një detyrë të rëndësishme, të rikthejë skuadrën te sukseset. Pas 13 javësh kampionat në Maqedoninë e Veriut, skuadra shqiptare mban vendin e gjashtë me 16 pikë të grumbulluara. /tvklan.al