Edhe pse Shqipëria ka një prevalencë të ulët për rastet me HIV, 1200 rezultojnë të prekur nga ky virus në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, krahasuar me vitin 2017 rezultojnë rreth 100 raste më shumë. Qarqet me nivelin më të lartë të personave të prekur nga infeksioni HIV janë Tirana, me 6.4 raste për 10 mijë banorë, e ndjekur nga Lezha me 5 raste për 10 mijë banorë dhe më pas ai i Vlorës, me 4.6 raste për 10 mijë banorë.
Sipas mjekëve infeksionistë, edhe pse Shqipëria ka një udhëzues që nga viti 2015, ende nuk ka një program të parandalimit të HIV nga nëna tek fëmija, duke bërë që për vitin 2018 të diagnostikohen përsëri 2 raste të reja të transmetimit të këtij virusi.
35 % e vdekjeve në 2018 nga ky infeksion tregojnë se janë diagnostikuar vonë. Numri i njerëzve që kanë humbur jetën nga ky virus ka rënë vitet e fundit. Në vitin 2016 humbën jetën 23 persona, ndërsa në 2017, kjo shifër gati është përgjysmuar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga kjo sëmundje vitin e kaluar humbën jetën 940 mijë persona.
Tv Klan