Me mijëra njerëz humbin jetën nga pickimi i gjarpërinjve në mbarë botën çdo vit. Mungesa e trajtimit dhe shpesh edhe ilaçi i gabuar do të thotë se këto vdekje janë të shmangshme. Ndonëse për shumë pickimi nga gjarpërinjtë mund të mos duket si problem i madh për shëndetin publik, në disa vende të botës ata janë një rrezik i përditshëm dhe mund të jenë vdekjeprurës, apo të ndryshojnë përgjithmonë jetën e njerëzve.
Shpesh viktimat nuk e marrin trajtimin në kohë, e në raste të tjera nuk e marrin fare. Në raste të tjera atyre u jepet ilaç për të trajtuar plagën e shkaktuar nga një tjetër gjarpër.
Sipas një artikulli të publikuar nga BBC, rreth 11 mijë persona besohet se vdesin në muaj nga pickimi i gjarpërinjve helmues. 450 mijë të tjerë besohet se pësojnë plagë të cilat u ndryshojnë jetën, të tilla si prerja e gjymtyrëve, apo paaftësi të përhershme. Shkalla e problemit do të thotë se pickimet nga gjarpërinjtë janë tashmë të klasifikuara si prioritet në listën e sëmundjeve të neglizhuara tropikale.
Në rajone të zhvilluara, si Europa, Australia e Amerika e Veriut, pickimet e gjarpërinjve vrasin një numër më të vogël njerëzish, ndonëse jetojnë shumë specie të rrezikshme.
Por shumë komunitete rurale në tropik janë thuajse në mënyrë konstante të rrezikuar nga pickimet e gjarpërinjve, mbi të gjitha femrat që punojnë në fusha dhe fëmijët e vegjël. E teksa faktor është numri i madh i popullatës rurale, sistemet shëndetësore në disa pjesë të Afrikës dhe Azisë, nuk janë të përgatitura për t’u përballur me pickimin e zvarranikëve. Mungesa e trajnimit klinik, transporti i emergjencës dhe ilaçet e përballueshme janë shpesh të pakta, duke sjellë pasoja tragjike.
Antihelmi është zgjedhja për të trajtuar pickimet e gjarpërinjve. Ai bëhet duke përdorur helmin e një gjarpri. Kjo do të thotë se nevojiten shumë versione të ndryshme, sepse ekzistojnë shumë gjarpërinj helmues nëpër gjithë botën, si kobra, mamba, nëpërka etj.
Toksinat që gjenden në helmin e tyre janë të ndryshme nga një grup gjarpërinjsh tek të tjerët, e madje në disa raste edhe në të njëjtin grup gjarpërinjsh, në një rajon të ndryshëm. Kjo do të thotë se antihelmi korrekt është shpesh i vështirë për t’u identifikuar dhe mund të jetë tejet i vështirë.
Në Amerikën Latin antihelmi shpesh prodhohet në vend dhe subvencionohet nga shteti.
Vdekjet janë shumë më të larta në Afrikën sub-Sahariane, ku antihelmi më i mirë kushton nga 140 deri në 300 dollarë për një flakon. Për të shpëtuar jetën e një njeriu zakonisht duhen 3 deri në 10 flakone. Çmimi bën që të jetë i përballueshëm për pjesën më të madhe të njerëzve atje.
Kjo situatë ka bërë që përgjatë dekadës së fundit tregu të mbushet me ilaçe të dobëta dhe të pa përshtatshme, sidomos në Afrikë. Këto antihelme kushtojnë zakonisht 30 dollarë për flakon. Këto produkte nisën të përdoreshin edhe nëpër spitale. Megjithatë së fundi ka raportime se disa prej këtyre ilaçeve mund të jenë të dëmshme, duke çuar shpesh në rritjen e fataliteteve. Disa janë të bëra me helm ndryshe nga gjarpri që ka pickuar pacientin, ndërsa në raste të tjera përqendrimi i antitrupave nuk është i mjaftueshëm.
/tvklan.al