12 emigrantët e parë nga 16 që mbërritën nga Italia, kanë kaluar natën e parë në kampin e Gjadrit.
Emigrantët me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi, kanë nisur këtë të enjte procedurat për azil.
I gjithë ky proces parashikohet të zgjasë për 30 ditë, me emigrantët të cilët do të presin në kampin e Gjadrit, pergjigjen për të marre ose jo statusin e azilantit nga shteti italian.
Për të parë nga afër se çfarë ndodh në kamp, në Gjadër mbërritën dhe 3 deputetë të opozitës italiane.
Pasi zhvilluan një vizitë brenda strukturës akomoduese, ata thanë se verifikimi i emigrantëve nuk ka funksionuar, për sa kohë 4 prej tyre u kthyen mbrapsht.
“Nga ajo që kemi parë na ka rezultuar se nuk ka funksionuar siç duhet verifikimi i emigrantëve të ardhur. Pasi 4 nga 16 personat e parë ishin minorenë, cfarë do të ndodhë kur të jenë 400 persona. Ndaj kemi ardhur për të parë se si po shpenzohen qindra milionë Euro të qytetarëve italianë”, tha deputeti italian Roberto Magi.
“Flisnin për 18 mijë Euro personi për lëvizjen e këtyre 16 personave, imagjino edhe kthimi. Ne e dimë se cilat janë kushtet në këto qendra në Itali ku të drejtat e njeriut shkelen shpesh. Erdhëm për të parë që mos të ketë shkelje që ndodhin dhe në Itali”, deklaroi deputetja Rachele Scarpa.
Grupi i parë i emigrantëve u transferua pak para mesnatës së të mërkurës nga porti i Shëngjinit drejt fshatit të Gjadrit ku është ngritur kampi, që administrohet nga qeveria italiane.
Sipas marrëveshjes, në këtë kamp do të vendosen vetëm burrat që vijnë nga vende të sigurta origjine.
Aktualisht Italia konsideron 21 kombësi si të tilla. Vitin e kaluar, më shumë se 56 mijë emigrantë mbërritën në Itali vetëm nga katër shtete si Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia.
Tv Klan