Ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare ka qenë për 15 vite drejtor sportiv i skuadrës së Lazios. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Tare e ka krahasuar largimin nga Lazio si rastin e një martese të konsumuar.
Pyetje: Mund të themi që ke qenë një nga drejtorët sportivë më të suksesshëm në skuadrën e Lazios dhe më afatgjatë, pse ikët nga Lazio?
Igli Tare: Kjo është si puna e një martese të konsumuar dhe i tillë ishte edhe raporti im me Lazion dhe për faktin që 15 vjet janë shumë, janë gati 2 dekada dhe të punosh në një klub kaq të madh për kaq shumë vite, është pak stresante dhe mendoja që ndoshta kishte ardhur momenti që t’i jepja fund dhe të pushoja pak dhe të merresha me studimin e ndonjë projekti të ri të ardhshëm.
Gjatë intervistës, Igli Tare ka thënë se takimi që ka zhvilluar me Presidentin e Chelsea ka qenë shoqëror (referuar dhe zhurmës që darka bëri rreth një kalimi të tij të mundshëm në drejtimin e Chelsea).
Pyetje: Kohët e fundit, mediat kanë folur për një darkë që ju keni ngrënë me Presidentin e Chelsea. Keni diskutuar për ndonjë…?
Igli Tare: Po, e vërtetë. Kam qenë në një ambient shoqëror mes disa miqve tanë. Ka qenë thjesht një takim formal shoqëror dhe kemi biseduar për shumë gjëra, për futbollin, shqiptar, italian dhe pse jo atë, anglez për skuadrën e Chelseas, por asgjë më tepër.
/tvklan.al