Viti i Ri 2025 ka kryer xhiron e parë të globit. Ndër të fundit që e pritën me festime dhe fishekzjarrë në sheshe ishin amerikanët. Këto pamje janë filmuar në sheshin e famshëm Tajms Skuer të Nju Jorkut që u mbush nga mijëra njerëz.
Nuk mungoi spektakli madhështor i fishekzjarrëve në plazhin e famshëm Kopakabana të Rio de Zhaneiros në Brazil, që zgjati për 12 minuta.
Kur këmbanat e kullës Big Ben në Londër tingëlluan për lajmëruar ardhjen e mesnatës, shpërthyen fishekzjarrët në karuzelin e famshëm buzë lumit Tamiz, ndërsa pjesa e brendshme e atij që njihet edhe si “Syri i Londrës“ ishte shndërruar edhe në një lloj ekrani gjigant.
I tejmbushur me spektatorë ishte bulevardi Shomps Elize në Paris, nga ku shijohej shpërthimi i fishekzjarrëve mbi Harkun e Triumfit.
Spektakël fishekzjarrësh edhe mbi portën e brandenburgut, simbolin e Berlinit.
Më herët, në kullën më të lartë të globit, Burxh Kalifa në Dubai shpërthimi i fishekzjarrëve krijonte imazhin e një bredhi festiv.
Mijëra njerëz festuan me fishekzjarre edhe në Damaks, në të parën festë të Vitit të Ri pas rënies së regjimit të Asadit.
Tv Klan