Kryeministri: Rruga drejt shpagimit përfundimtar të gjakut të 4 dëshmorëve është ende e përpjetë

Vendimi i Gjykatës së Lartë që detyron Prokurorinë e Posaçme të hetojë dosjen e 21 janarit, u cilësua nga kryeministri Rama si kthimi i shpresës së varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve.

“Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë.”

Shprehet krenar për kontributin e PS-së për reformën në drejtësi.

“Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë.”

Kryeministri gjithashtu shkruan se u hap rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit.

“Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS. Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët.”

Vrasja e 4 protestuesve në 21 janar të 2011 do të hetohet nga Prokuroria e Posacme. SPAK fillimisht do të regjistrojë procedimin penal, që më herët e refuzoi.

Klan News