Muaji Gusht është mbyllur me shifra rekord sa i përket numrit të pasagjerëve të hyrë në Rinas që kanë tejkaluar edhe parashikimet më optimiste. Sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri Edi Rama, kanë qenë 1 milion e 251 467 pasagjerë që kanë hyrë nga aeroporti i Rinasit në vendin tonë, muajin që lamë pas, ose 41% më shumë se sa Gushti i shkuar.
Kështu, bilanci për periudhën Janar-Gusht 2024 arrin në 7 milionë e 233.711 pasagjerë, 56% rritje në krahasim me të njëjtën periudhë vjet. Sipas kryeministrit Edi Rama, këto shifra përkthehen në më shumë të ardhura, jo vetëm për bizneset, por edhe familjet shqiptare.
“Ata që komentojnë ç’na duhen turistët, duhet të llogarisin se të gjithë këta miliona njerëz shpenzojnë në Shqipëri para për të fjetur, për të ngrënë, për të udhëtuar, për të blerë dhurata dhe të gjitha këto para nuk u shkojnë disa “oligarkëve”, siç i bien shkurt disa kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë, po derdhen në arkën e buxheteve familjare të dhjetëra mijëra dhomave të dhëna me qera, të mijëra strukturave të mikpritjes në të katër anët e Shqipërisë, të mijëra e mijëra njësive të shërbimit e bizneseve të vogla.”
Rama thekson se një pjesë e të ardhurave shkojnë në formë taksash edhe në arkën e buxhetit të shtetit për investime të mëtejshme dhe për pagat e rritura ndjeshëm.
“Jo padashje qeveria nuk po ndërhyn ende për të taksuar si kudo në Europë volumin e madh në rritje të dhomave të dhëna me qera, sepse ne duam që fillimisht të gjithë shqiptarët të prekin jo vetëm të mirat e këtij ndryshimi epokal në sektorin e turizmit, po edhe të kuptojnë me fakte se sa shumë mundësi akoma ka në Shqipërinë Turistike si për ata që banojnë këtu, si për ata që ngurrojnë akoma të kthehen, e si për ata që e kanë ndarë mendjen të mos kthehen por kanë një kohë të artë për të investuar në Shqipëri kursimet e tyre.
Risia e këtij viti, sipas Ramës janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja.
Tv Klan