Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura shënon 55 vjetorin e krijimit, duke regjistruar 516 fonde arkivore dhe një trashëgimi dokumentare prej 35 milionë fletësh.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e pranishme në ceremoninë e organizuar në mjediset e Muzeut Kombëtar, e cilësoi arkivin kujdestar të kujtesës dhe vlerave historike të Forcave të Armatosura.
“Arkivat janë qendra të vërteta kërkimore të së vërtetës, janë gjithashtu edhe rojtarët më të rëndësishëm të kujtesës historike kolektive. Duke braktisur qasjen klasike, e cila i sheh arkivat thjesht si struktura burokratike, ne duhet që t’i konfigurojmë ato si pikënisjen më të mirë për krijimin e një projekti që synon të bazohet në identitetin e mishëruar në projektet, sukseset dhe qëndrueshmërinë në kohë të Forcave të Armatosura
”, tha ministrja.
Sipas Ministres së Mbrojtjes, arkivat nuk duhet të shihen me si struktura burokratike, por të shërbejnë si një burim në aspektin e njohurive dhe krijimtarisë së Forcave të Armatosura.
“Forcat tona të Armatosura kanë rritur në mënyrë të pakrahasueshme me asnjë kohë tjetër performancën e tyre në operacionet brenda vendit me angazhime të panumërta në përballimin e emergjencave civile dhe në shumë e shumë aktivitete të tjera. Jemi të pranishëm në shumë vende po ashtu të globit si pjesë e Aleancës, por edhe të Bashkimit Evropian tashmë edhe të Kombeve të Bashkuara dhe gjeografia e pjesëmarrjes sonë vjen vazhdimisht duke u zgjeruar. Dhe sot, ne kemi përgjegjësinë e madhe të ndërtojmë të ardhmen e FA, e tashmja jonë është e ardhmja e fëmijëve tanë. Ndaj le të bëjnë që ata të ndihen krenarë për punën tonë”,
përfundoi Ministrja fjalën e saj.
Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura u nderua nga Ministrja e Mbrojtjes me medaljen e mirënjohjes, ndërkohë që u vlerësuan me medalje edhe dy punonjëset më të vjetra./tvklan.al