“Të sigurosh një armë në Shqipëri, për kontigjentin kriminal duket se nuk është as e vështirë dhe as e kushtueshme. Dosja e trafikut të armëve që u finalizua me 23 masa sigurimi në Kosovë dhe Shqipëri, tregoi se ato bliheshin atje për 250 Euro dhe shiteshin në vendin tonë për 500 apo 600 Euro. I konsideruari si njeriu kryesor në trafikun, kryesisht të pistoletave, Valter Osmani, kishte edhe një rrjet të gjerë njerëzish, thënë ndryshe klient që dinin ku të drejtoheshin nëse i duhej një e tillë”, thotë gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi.

6 prej personave të këtij rrjeti u futën në grackë nga hetuesit që me veprime simuluese nëpërmjet një bashkëpunëtori blenë pistoleta. Pjesë e ketij rrjeti ishte edhe një taksist, i cili me mjetin e punës transportonte armët.

Referuar dosjes hetimore që Tv Klan ka lexuar, Osmani gjithashtu dyshohet të ketë blerë armë edhe në Malin e Zi.

Për shumë vite, burimi i armëve që policia kapte gjatë punës së saj, konsiderohej se vinin nga viti 1997, por disa hetime në vitet e fundit treguan rrjete të tjera që i siguronin nga jashtë.

Armëmbajtja pa leje është konsideruar gjithmonë si prioritare nga uniformat blu dhe dënimet penale janë rritur disa herë për këtë vepër.

Të dhënat e siguruara nga Tv Klan tregojnë se gjatë këtij viti në të gjithë vendin u kapën rreth 500 armë zjarri të llojeve të ndryshme, shumica prej te cilave pistoleta.

Tv Klan