Ministrat e jashtëm të 8 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dërguar një letër KE në të cilën kërkohet një vendim i menjëhershëm lidhur çështjen regjimit të vizave me vendet e Ballkanit perëndimor, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Thirrja vjen nga ministrat e jashtëm të Estonisë, Hungarisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Çekisë, të cilët kanë kërkuar nga zv presidenti i KE, Zhak Barrot dhe ministrit të jashtëm të Cekisë, Karel Schwarzenberger të marrin një vendim përfundimtar.

 “Ne besojmë se vendimi lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave duhet të bëhet pa asnjë vonesë, në momentin që të gjitha vendet të plotësojnë kushtet dhe kriteret” – thuhet në letër. Kjo kërkesë është parë në njëfarë mënyre si presion i ushtruar nga vendet anëtare të BE. Gjithsesi firmëtarët e saj e kane argumentuar me faktin se ajo vjen si pasoje e reformave të mëdha te kryera nga vendet e Ballkanit.

 “Komisioni duhet të lëshojë një rekomandim për Këshillin e Evropës për heqjen e vizave”. Kështu përmbyllet letra. Pritet që në fund të muajit maj, KE të lëshojë edhe raport –progres në mënyrë specifike për çdo vend. Në rast se ky raport do të jetë pozitiv atëherë heqja e regjimit të vizave do të jete e afërt. Pak ditë më parë komisionari për zgjerim në Bashkimin Evropian, Olli Rehn tha se Bashkimi Evropian mund të vendosë që heqja e regjimit të vizave me vendet e Ballkanit perëndimor të ndodhë në përmbyllje të presidencës çeke, në muajin qershor. /tvklan.al