Kryeministri Edi Rama edhe ditën e sotme ka zhvilluar një bashkëbisedim me komentuesit në rrjetet sociale “Sy m’Sy”. Rama gjatë komunikimit të tij iu përgjigj edhe një komentuesi që e pyeti nëse ai do të largohet nga pushteti.
Kryeministri shprehet se nuk do largohet derisa ata që e kanë zgjedhur në atë punë të dëshirojnë të largohet, teksa shtoi se ai nuk e bën këtë punë për pushtet, por e përdor pushtetin për të bërë këtë punë.
-A e ke në mend me lënë nojherë pushtetin se ja kalove Enverit?
Edi Rama: Për mua kjo pyetje tingëllon ndryshe. A ke ndërmend ta lësh këtë punë? Jo nuk kam ndërmend ta lë këtë punë për sa kohë ata që ma kanë dhënë do më kërkojnë që ta vazhdoj. Nëse do më thonë faleminderit se deri këtu ishim, atëherë do ta lej këtë punë. Sepse kemi një kuptim pak të ndryshëm. Pushteti dhe puna janë dy gjëra pak të ndryshme në tingëllim. Mua pushteti më duhet për të bërë këtë punë, dakord. Nuk e bëj këtë punë për pushtet.
Ndërkohë lidhur me premtimet për legalizimet, Rama shprehet se mbështetet në fakte, pasi kur kur ai erdhi në pushtet ishin rreth 20 mijë legalizime, numër që tani ka njohur një rritje në më shumë se 240 mijë.
Edi Rama: Premtimet për legalizimet janë tek faktet. Kur kemi marrë detyrën ishin pak më shumë se 20 mijë legalizime në total, sot janë çerek milioni legalizime të bëra, 240 e kusur mijë. Ka akoma, por 240 e kusur mijë prona janë të legalizuara dhe 240 kusur mijë pronarë, pjesa dërmuese familje kanë pronat e tyre./tvklan.al