Në një bashkëbisedim me komentuesit në rrjetet sociale “Sy m’Sy”, Kryeministri Rama ka folur me shifra përsa i përket të ardhurave dhe zhvillimit të vendit nga turizimi. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri thotë se shpenzimet e turistëve në Shqipëri në vitin 2024 janë 4.5 miliardë Euro të ardhura. Më tej, Rama shton se pesha e turizimit për vitin 2024 për vendin vlerësohet 26% e prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

Edi Rama: Këtu kam raportin për Shqipërinë nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe i Udhëtimeve. Në Shqipëri pesha e turizimit për 2024 vlerësohet 26% e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Punësimi që gjeneron turizmi është 21.8% e totalit. Dhe më tutje vazhdon raporti, në Shqipëri rritja vlerësohet 7.7% kundrejt vitit të mëparshëm dhe 47.5%, thuajse 2-fish kundrejt vitit 2019, këtu në këtë Somalinë tonë siç thoni ju.

Punësimi në sektorin e turizimit rritur me 14.1% krahasuar me vitin para pandemisë. Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri në 2024 vlerësohen 4.8 miliardë Dollarë ose rreth 4.5 miliardë Euro të ardhura nga ata që vijnë këtu dhe ata i lënë këtu. Rritja 54.7%, pra një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me nivelin para pandemisë. Shpenzimet e turistëve vendas, të shqiptarëve që bëjnë shpenzime për Shqipëri, këtu ku vdiset për bukë, 950 milionë Euro i harxhojnë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri.

Është një industri që është krijuar këtu në këtë Somalinë tonë që sjell 4.5 miliardë të ardhura nga ata që vijnë këtu nga jashtë. Ku shkojnë këto tani? Patjetër që i marr për vete, të gjitha iu marr për vete që ju marrsha të keqn të gjithëve. Është një lëvizje e tërë ekonomike. Nga kjo ka ardhur dhe rritja e pagave.

Një thirrje për të ardhur në Shqipëri, Kryeministri Rama ka pasur për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Greqi. Gjithashtu, Rama u ka bërë thirrje emigrantëve që jetojnë jashtë vendit të votojnë për zgjedhjet e 11 Majit.

Edi Rama: Ju them atyre që rrinë në Greqi, çfarë bëni në Greqi? Hajdeni këtu se është më mirë këtu në fund të ditës. Këtu jeni në shtëpinë tuaj. Qiratë janë rritur, por jemi vendi me numrin më të madh të shtëpive-pronë. Diaspora – Kqz.gov.al është adresa për t’u regjistruar për të votuar në 11 Maj. Mundësia është deri më 4 Mars që të regjistroheni për ata që janë jashtë.

/tvklan.al