Lajme Arkiva 2003

Ka kaluar pothuajse një vit që kur drejtori atëherë i sapo emëruar i Galerisë Kombëtare të Arteve Abaz Hado hodhi idenë e krijimit të një qendre ankandesh për artistët shqiptarë. Ideja e këtij ankandi e cila ishte më shumë një iniciativë ambicioze personale e Hados se sa një projekt i galerisë, u prit me shumë entuziazëm atëherë për vetë faktin se artistët e figurativit shqiptar do të kishin mundësinë ti hidhnin punët e tyre në treg duke ju përcaktuar vlerën reale.

Por një vit pas hedhjes së kësaj ideje asgjë nuk është realizuar dhe kjo sipas Hados për mungesë interesimi nga ana e vetë artistëve. Ky mosinteresim nga artistët tregoi se ata janë shumë pasiv. Duke mos e kuptuar tregun, duke i lejuar vetes të krijojnë disavantazhe dhe i lënë shteg antivlerës.

Abaz Hado: Në aspektin e menaxhimit unë vërej me keqardhje se artistët shqiptarë janë shumë të dobët në pikëpamjen e vetëmenaxhimit dhe marketingut të krijimtarisë së tyre. Kjo është një mentalitet që nuk ikën kollaj. Unë e kuptoj se nga vjen kjo, nga buron. Nga periudha që ne kaluam, por në kohën e sotme ne epokën e kapitalizmit të egër kjo është krijimtari e dobët në menaxhim ndërkohë që ankandi për çdo artist vishet pastaj si një pikë referimi edhe për çmimet e veprës së tij. Sepse në qoftë se një artist do të shiste një vepër në një ankand me një çmim të konsiderueshëm, nuk do të guxonte kush nga blerësit ti propozonte një çmim më të ulët se ai i ankandit.

Megjithatë krijimi i institucionit të ankandit ende nuk ka dështuar dhe gjithçka është në dorë të vetë artistëve të interesuar. Ky institucion do të tregonte se edhe arti shqiptar, ka një vend ku mund të ballafaqohet me rregullat e tregut dhe jo të vazhdojë në mënyrë sporadike./tvklan.al