Gazetarja: Zoti ministër ç’do të thotë firmosja e protokollit të anëtarësimit për qytetarët shqiptarë?

Lulzim Basha: “Firmosja e protokollit të anëtarësimit është hap i fundit të një procesi që nisi pas marrjes së ftesës për fillimin e negociatave në samitin e Bukureshtit. Midis marrjes së ftesës në samitin e Bukureshtit dhe ditës së sotme, Shqipëria dhe NATO janë angazhuar në një proces negociatash politike, ushtarake dhe të sigurisë të cilat kanë çuar në përpunimin e protokollit të anëtarësimit, pranimin e obligimeve dhe angazhimeve nga pala shqiptare në të gjithë rrafshet që kanë të bëjnë me angazhimet politike, ushtarake, financiare etj dhe pranimin nga ana e aleancës formalisht të Shqipërisë, si një vend në radhët e saj deri duke pritur konfirmimin e këtij pranimi me ratifikimi e secilit vend anëtar, pra sot përfundon një fazë të negociatave që nisi pas samitit të Bukureshtit dhe hap fazën finale atë të ratifikimit të protokollit, me ratifikimin e të cilit Shqipëria anëtarësohet plotësisht në Aleancë. Duke filluar që nga dita e sotme, në Këshillin e Atlantikut të Veriut Shqipëria edhe Kroacia kanë vendin e tyre dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat me përjashtim të së drejtës së votës.”

Gazetarja: “Në rregull, por çfarë do të thotë kjo teknikisht, kush janë përfitimet e shtetasit shqiptar nga anëtarësimi në NATO?”

Lulzim Basha: “Mendoj që anëtarësimi në NATO dhe përfitimet e saj për qytetarin shqiptarë, një temë që është rrahur gjerësisht para samitit të Bukureshtit, pas samitit të Bukureshtit dhe që mund të trajtohet gjerësisht dhe sot, kanë të bëjnë kryesisht me 3 nivele: nivelin e sigurisë kolektive, pra Shqipëria duke u bërë anëtare e Aleancës më të suksesshme politike, ushtarake që ka njohur njerëzimi bën një investim të sigurt në sigurinë e saj, si pjesë e një sistemi të sigurisë kolektive. Së dyti, anëtarësimi në NATO dhe procesi i anëtarësimit në NATO bëjnë të mundur shpalosjen e vendit tonë para komunitetit Euroatlantik dhe më gjerë, si një vend i cili ka arritur standarde të caktuara në konsolidimin e institucioneve demokratike, konsolidimin e shtetit ligjor, garantimin e të drejtave themelore të shtetasve të tij dhe standarde të tjera që kanë të bëjnë me liritë ekonomike, liritë e të drejtat e njeriut në përgjithësi, funksionalitetin e shtetit, avantazhet e menjëhershme që vihen re në procesin e anëtarësimit të NATO-s që janë vënë re nga vendet e tjera dhe që vihen re edhe sot në Shqipërinë kanë të bëjnë me një rritje të vëmendjes së sektorit privat të investitorëve të huaj ndaj ekonomive të vendeve të pranuara në NATO, pasi në shuam pikëpamje anëtarësimi në NATO shikohet si një certifikatë sigurie për investitorët e huaj. Kështu vende të ndryshme kanë njohur menjëherë pas ratifikimit apo pas ftesës, një rritje të menjëhershme dhe të shpejtë të investimeve të huaja në vend dhe ky është një trend i cili konfirmohet edhe sot në Shqipëri, ku interesi i investitorëve të huaj jo vetë në hapësirën euroatlantike, por edhe më gjerë është rritur proporcionalisht shumë që prej momentit kur Shqipëria  ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe kjo vazhdon edhe me vetë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, është pra një certifikatë sigurie për investitorët. Së treti për shqiptarët, për Shqipërinë ka një element, i cili do të thosha është unik atë të ribashkimit me vlerat e kontinentit të vjetër nga i cili Shqipëria dhe shqiptarët u ndanë përmes të një kaluare të dhimbshme. Ribashkimi me këto vlera, ribashkimi me familjen e vlerave të lirisë, demokracisë, përparimit është garancia më e mirë për të sotmen, por edhe për të nesërmen e Shqipërisë, për të ardhmen e saj euroatlantike dhe për të ardhmen e saj evropiane.”

Gazetarja: Kur flasim për shtetin ligjor për garantimin e sigurisë në ç’mënyrë mund të ndikojë anëtarësimi në NATO, për sa i takon le të themi bllokimit të fenomeneve të tilla si ngjarja e Gërdecit?

Lulzim Basha: “Reforma e Forcave të Armatosura është një nga kushtet kryesore dh enjë nga kriteret kryesore që janë monitoruar gjatë gjithë këtij procesi, është padyshim transformimi rrënjësor dhe modernizimi i këtyre forcave të armatosura që ka kontribuar në ndryshimin e qëndrimit të Aleancës ndaj Shqipërisë. Shqipëria sot konsiderohet një vend i cili për nga kapacitetet ushtarake mund të kontribuojë dhe kontribuon krah për krah NATO-s në operacionet nga më të ndërlikuarat dhe jep këtë kontribut me dinjitet dhe profesionalizëm. Në këtë kuadër NATO angazhohet së bashku me Shqipërinë që të menaxhojë trashëgiminë e hidhur të së kaluarës, pjesë e së cilës janë edhe municionet e tepërta, stoqet e municioneve të tepërta dhe në këtë kuadër bashkëpunimi do të vazhdojë me efektivitet duke bërë të mundur që ky rrezik i cili është prezent, por jo vetëm në Shqipëri në të gjitha vendet e ish Evropës Lindore, komuniste të menaxhohet dhe të shmanget brenda një kohe më të shkurtër dhe në këtë kuadër bashkëpunimi midis  forcave të armatosura të Shqipërisë dhe ekspertëve të   NATO-s dhe vendeve anëtare të NATO-s është padyshim garancia më e mirë.”…/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj