Agjenti imobiliar Armand Shkëmbi, i ftuar këtë të martë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, u shpreh se vlera e shtëpive do bjerë nga mbiprodhimi.
Ai tregoi se në Tiranë ka 52 mijë shtëpi bosh dhe ndërkohë janë duke u ndërtuar 10 mijë të tjera. Kjo sipas tij, do të sjellë edhe një rritje taksash nga qeveria.
Armand Shkëmbi: Në Tiranë, para 1 muaji, u publikuar lajmi që në Tiranë ne kemi 52 mijë shtëpi bosh. Pra një pjesë e mirë e shtëpive të Tiranës janë bërë si shtëpi plazhi. Po të shikoni komplekset natën, janë diku tek 50 për qind e dritave ndezur, nga ora 9 apo 10 e darkës, gjysma tjetër janë fikur. Pra, ne kemi një produkt të mbiprodhuar në Tiranë. Janë 52 mijë shtëpi bosh, por ndërtohen dhe 10 mijë të tjera tani. Këto shtëpi në pjesën më të madhe janë shtëpi emigrantësh. Pra emigrantët shqiptarë blejnë për arsye emocionale. Për një produkt nuk mund të prodhojmë pambarimisht, se kur ti prodhon shumë i bie vlera. Floriri është i shtrenjtë sepse është pak, po të prodhohet shumë, dhe floriri nuk është më i shtrenjtë. Çfarë do ndodhë është që qeveria, bashkia, gradualisht do rrisin taksat. E kanë filluar me rritjen e taksës së pronës së dytë, tretë; taksa e bashkisë do fillojë të rritet. Dhe një pjesë e këtyre pronave, pronarët do t’i kenë me peshë fiskale, sepse nuk kanë peshë fiskale. Do fillojnë t’i hedhin në treg për qira dhe për shitje.
Rudina Magjistari: Sepse do i dalë pastaj një pronë që kërkon financim të vazhdueshëm.
Armand Shkëmbi: Pra ti do shpenzosh, e kanë me kosto zero për momentin. Gradualisht ekonomia jonë po taksohet nga të gjitha anët sepse në Komunitetin Evropian ekonomitë janë të taksuara dhe gradualisht këto prona do dalin në treg. Se kur unë nuk e di, por në atë moment ne do të shikojmë të vërtetën në sy, që ne kemi mbiprodhuar apartamente në tiranë. Nuk kemi aq popull, nuk kemi aq kërkesë. /tvklan.al