Të gjithë kosovarët tash e tutje do të kalojnë kufirin e Shqipërisë për vetëm pak minuta.
Kjo pasi Drejtoria e Departamentit të Kufirit të Shqipërisë, që nga 20 Korriku i këtij viti mori vendimin për lehtësimin e procedurave administrative për shtetasit e Kosovës.
Klan Kosova të mërkurën ishte në pikën kufitare të Morinës, vend ku çdo ditë kalojnë mijëra pushues nga vendi ynë.
Petrit Dautaj: “Janë evidentu vetëm targat e automjeteve, numri i personave nuk janë regjistru fare dhe që është bërë e mundur lehtësimi i procedurave për të kaluar në drejtim të territorit shqiptar”.
Kjo periudhë zgjat prej 1 majit deri në 31 Tetor, kur edhe parashihet përfundimi i sezonit turistik. Kosovarët shprehën të kënaqur pasi që nuk humbin shumë kohë për të pritur në kufi.
“Me të vërtetë shumë e vlerësoj, shumë mirë për shkak se po e kalojmë shumë lehtë kufinë edhe kështu nuk po bëhet një tollovi shumë trafik, shumë. Me të vërtetë shumë jemi të kënaqun me këtë”.
“Është vendim shumë i mirë dhe është lehtësim shumë i mirë për neve kosovarët”.
Fluksi i madh i turistëve në këtë periudhë të vitit konsiderohet si arsye kyçe që Drejtoria e Departamentit të Kufirit të marrë këto masa.
Me ndërtimin e rrugës dhe hapjen e tuneleve, pika kufitare e Morinës ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme të pushuesve nga Kosova./tvklan.al