Teksa e gjithë vëmendja është përqendruar te ajo çfarë do të ndodhë në Siri, pas rrëzimit të regjimit të presidentin Bashar al-Assad, kreu i të ashtuquajturës Qeveria e Shpëtimit Sirian në Idlib, Mohammed al-Bashir, është caktuar si kreu i qeverisë së re tranzitore.

Vendimi u mor pasi komandanti kryesor i rebelëve Ahmed al-Sharaa u takua me kryeministrin Mohammed Jalali dhe zëvendëspresidentin Faisal Mekdad për të diskutuar marrëveshjet për një qeveri kalimtare. Festa dhe kaosi kanë përfshirë Damaskun dhe gjithë Sirinë pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit.

Teksa rrugëve dhe shesheve të Damaskut u panë qindra banorë dhe rebelë duke festuar së bashku, kishte edhe nga ata që shfrytëzuan rënien e autoritetit shtetëror për të grabitur, disa bankën qendrore …

Rebelët po lirojnë masivisht të burgosurit. Ky filmim tregon momentet e lirimit të mijëra të burgosurve nga burgu famëkeq ushtarak nëntokësor i Sednajasë, ku dyshohet se janë ekzekutuar mbi 30 mijë persona nga 2021-shi.

Ndërkohë që është paralajmëruar që situata më e fundit në Siri të diskutohet me dyer të mbyllura nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e kërkuar nga Rusia.

Pasi anuloi marrëveshjen 50-vjeçare të paqes, ushtria izraelite mori nën kontroll zonën e demilitarizuar në lartësitë Golan dhe bombarduan depot e armëve kimike nga frika se në Siri mund të instalohet një regjim i ri ekstremist.

Por Jordania, Katari dhe Egjipti kanë dënuar vendimin e Izraelit për të pushtuar zonat e kontrolluara nga Siria në një zonë tampon të patrulluar nga OKB-ja në Lartësitë Golan, duke e quajtur këtë veprim një “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

Tv Klan