Mohammed al-Bashir është emëruar kryeministër i përkohshëm i Sirisë. Në një fjalim televiziv, al-Bashir njoftoi se do të qëndrojë në post deri më 1 Mars të vitit të ardhshëm, për të udhëhequr qeverinë në tranzicion. Al-Bashir drejtoi Qeverinë e Shpëtimit të udhëhequr nga rebelët përpara se ofensiva 12-ditore e rrufesë në Damask.
Nga ana tjetër udhëheqësi i aleancës rebele që rrëzoi Bashar al-Assad të Sirisë është zotuar të ndjekë dhe ndëshkojë ata që mbanin poste të larta në regjimin e tij.
Abu Mohammed al-Jolani ka bërë të ditur se do të ofrohen shpërblime për çdo informacion rreth oficerëve të lartë të ushtrisë dhe sigurisë të përfshirë në krime lufte. Nga ana tjetër rebelët kanë shpallur një amnisti të përgjithshme për rekrutët e ushtrisë, por kjo nuk vlen për vullnetarët.
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron pritet të bashkëpunojnë me grupet siriane që rrëzuan al-Assad-in. Sipas një deklarate të qeverisë gjermane menjëherë pas një telefonate mes dy liderëve bëhet e ditur se ata kanë rënë dakord për të punuar me drejtuesit e rinj. Ata thanë se Assadi shkaktoi vuajtje te tmerrshme për popullin sirian dhe dëme të mëdha në vendin e tij.
Edhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka pasur një bisedë telefonike me shefin e Natos Mark Rutte për zhvillimet ne Siri. Në një postim nga zyra e tij në rrjetin X thuhet se Erdogan ka mbështetur ruajtjen e integritetit territorial dhe stabilitetit të Sirisë që nga dita e parë e luftës. Ai theksoi se Siria duhet të qeveriset nga populli sirian dhe se Turqia do të vazhdojë të bëjë maksimumin për të ndihmuar në ndërtimin e një Sirie të bashkuar dhe pa terrorizëm”.
Ndërkohë Britania e Madhe si edhe vendet e tjera europiane kanë ndërprerë vendimet e azilit për rastet nga Siria.
Klan News