Demokratët kanë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes kriteret e rezolutës së Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, mbi bazën e të cilave orientohet sjellja e gjyqtarëve në rastet kur këta të fundit kanë konflikt interesi në çështje të caktuara.
Në një konferencë për mediat zëdhënësi i grupit kuvendor të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, solli edhe shembuj ku si pasojë e konfliktit të interesit katër anëtarë të gjykatës supreme në Shtetet e Bashkuara dhanë dorëheqjen në një çështje të bujshme.
Aldo Bumçi: “Gazeta “International Herald Tribune” të datës 14 Maj 2008 raporton mbi një çështje konflikt interesi të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konfliktet e interesit, financiare dhe personale të katër gjyqtarëve të gjykatës supreme e lanë gjykatën pa kuorum dhe të paaftë për të vendosur nëse do të merrnin nën shqyrtim një ankesë të depozituar kundër më shumë se 50 kompanive, të cilat kanë bërë biznes në Afrikën e Jugut në kohën e Aparteidit. Çfarë do të thotë kjo? Që kishte një çështje në gjykatën supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të konfliktit të interesit , arsyet familjare ose financiare katër gjyqtarë nuk mund të merrnin dot pjesë në gjykimin e çështjes. U tërhoqën dhe kjo bëri që gjykata të mos kishte kuorum në shqyrtimin e asaj çështje. Çfarë thotë ligji për gjykatën kushtetuese të Republikës së Shqipërisë? Neni 72, pika 2 e ligjit thotë vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve. Ky rast konkret e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës na tregon që gjyqtarët kur kanë konflikt interesi tërhiqen dhe në rast se kjo e çon gjykatën në pamundësi për të marrë vendim”.
Përmes këtij shembulli Bumçi ilustroi pozicionimin e mazhorancës kundër shqyrtimit të ligjit të lustracionit në Gjykatën Kushtetuese pasi ky ligj parashikon edhe verifikimin e të gjithë gjyqtarëve në të gjitha shkallët, çka përbën edhe konflikt interesi mes gjyqësorit dhe këtij ligji.
Rezoluta mbi etikën gjyqësore e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut shprehet qartë se asnjë gjyqtar nuk mund të shqyrtojë çështje me të cilat është në një konflikt të tillë./tvklan.al