Ambasadoret e Francës dhe Holandës kanë shprehur besimin se shqiptaret do të lëvizin pa viza në mesin e vitit të ardhshëm.
Gjatë një vizite që zonja Mariz Davje dhe zoti Hank Van den Dol kryen bashkë me Ministrin e Brendshëm, Basha, në piken e kalimit kufitar të Qafë Thanës, dy përfaqësuesit diplomatike u shprehen se progresin për përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave është i dukshëm.
Ata e përkufizuan si mbresëlënëse arritjen e vendosur të sistemit të kontrollit në kufi.
Maryse Daviet: “Çdo shqiptar do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave dhe ne presim të bëhen së shpejti hapa konkretë. Shpresojmë që liberalizimi i vizave të arrihet në mesin e verës së vitit të ardhshëm”.
Henk Van den Dool: “Ajo që ne shpresojmë është që misioni i Komisionit Evropian të konstatojë këtë progres dhe të japë sa më shpejt mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave”.
Ambasadorët vëzhguan në pikën funksionimin e sistemit TIMS, ndërlidhjen e tij me sistemin MEMEX dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, funksionimin e kamerave të instaluara të vëzhgimit, lexuesit optikë të pasaportave biometrike, e po kështu edhe se si bashkëpunonin agjencitë e ndryshme që operojnë në kufi, policia kufitare, kontrolli fito-sanitar, shërbimi i antidrogës etj.
Ministri i Brendshëm, Basha, i siguroi ambasadoret se të njëjtën situate mund të gjejnë tek 26 pikat e kalimit kufitar me Shqipëri.
Po kështu, ai theksoi se një rol të veçantë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave kanë pasaportat biometrike, prodhimi i të cilave po ecën me ritme të shpejta.
Lulzim Basha: “Shqipëria, sa i përket kohës që kur ka nisur lëshimin e pasaportave biometrike, por edhe për sa i përket ecurisë, është përpara edhe në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, sepse gjatë këtij takimi u informova nga të dy ambasadorët se vendet e tyre respektive kanë nisur prodhimin e pasaportave biometrike vetëm para pak muajsh. E rëndësishme është që ne po ecim përpara me kriteret dhe besoj se në këtë drejtim, verifikimi që pritet nga Komisioni Evropian do të japë rezultatet e duhura për të arritur heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 6 mujorit të parë të vitit që vjen”.
Progresi i arritur nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve dhe të kufirit është përshëndetur dhe nga Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian, Lohan gjatë një vizite në një tjetër pikë kufitare, si dhe nga Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, pas vizitës së kryer gjatë kësaj jave në Qendrën e Personalizimit të të Dhënave të Dokumenteve të Identitetit, në Qendrën Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në piken e kalimit kufitar të Rinasit./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani