Edhe një herë Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i ka bërë thirrje shqiptarëve të aplikojnë për kartat e identitetit pasi janë një nevojë e çdo qytetari. Në një konferencë për shtyp me Avokatin e Popullit, Bosch dha disa këshilla për qeverinë por edhe siguroi që edhe pse e kufizuar, koha për pajisjen e qytetareve me karta identiteti është e mjaftueshme.
Robert Bosch: “Është me rëndësi që të gjithë të aplikojnë, ashtu siç tha dhe presidenti, çdokush të aplikoj për karta sepse nuk vlejnë vetëm për votim. Por janë për nevoja të gjëra për të gjithë qytetaret. Pata një takim me ministrin Nishani dhe më siguroi se problemet me vonesat të cilat kanë qenë teknike dhe për shkaqe natyrore, tashmë janë zgjidhur dhe do të hapen të gjitha zyrat. Koha edhe pse është e kufizuar ajo është e mjaftueshme. Ndoshta nuk do të pajisen të gjithë qytetarët por pjesa dërrmuese e tyre që nuk kanë pasaporta do të pajisen. Dhe tashmë koha e marrjes së një karte identiteti nuk është më 1 muaj, por vetëm 2 jave. Ndaj i bëjmë thirrje të gjithë qytetareve që të shkojnë të aplikojnë”.
Dobjani përmendi dhe disa nga problemet që sipas institucionit që ai drejton ka kompania franceze Sagem, e cila është kontraktuese me qeverinë shqiptare për kartat e identitetit.
Ermir Dobjani: “Ky fenomen u konstatua nga komunikimi me disa operator të cilët na thanë se kishin porosi për të mos lënë informacione. Ne i konsiderojmë se në rastin konkret shoqëria prodhuese po kryen një shërbim publik në emër të shtetit shqiptarë. Prandaj dua t’ju dëshmoj një standard të lartë performance dhe transparence”.
Shpërndarja e kartave të identitetit ka disa kohë që ka filluar normalisht në Tiranë dhe në pjesën më të madhe të territorit të vendit./tvklan.al